1158 leje ndërtimi për 73.9 mld lekë investime në 2025, por INSTAT thotë se të dhënat mungojnë
INSTAT paralajmëron se shifrat e T4 2025 nuk janë të krahasueshme me një vit më parë.
Tregu i ndërtimit e mbylli vitin 2025 me 1,158 leje të reja ndërtimi dhe një vlerë investimesh të miratuara prej rreth 73,9 miliardë lekësh, sipas publikimit zyrtar të INSTAT për “Lejet e ndërtimit, Tremujori IV 2025”. Gjatë vitit u miratuan ndërtesa të reja me një sipërfaqe totale prej 1.304.606 m², duke konfirmuar vijimësinë e aktivitetit të lartë në sektor. Megjithatë, INSTAT thekson se të dhënat nuk janë të standardizuara dhe nuk mund të krahasohen me tremujorin e katërt 2024.
Banimi dominon tregun
Ndërtimet për banim përbëjnë pjesën kryesore të lejeve, me 890 leje dhe 844.791 m² sipërfaqe. Ndërtesat jo-rezidente, si hotele, objekte tregtare dhe industriale, llogariten në 268 leje me 459.815 m². Kjo strukturë tregon se segmenti rezidencial mbetet motori kryesor i investimeve në ciklin aktual të ndërtimit.
Të dhëna vetëm nga bashkitë
INSTAT sqaron se statistikat aktuale mbështeten vetëm në raportimet e bashkive, ndërkohë që procesi i miratimit të lejeve përfshin edhe institucione të tjera. Për shkak të mungesës së një raportimi të plotë dhe të unifikuar nga të gjitha entet përgjegjëse, të dhënat për T4 2025 konsiderohen paraprake dhe të pakrahasueshme me periudhën përkatëse të një viti më parë. Instituti nënvizon se po punon për krijimin e një sistemi të standardizuar raportimi për të siguruar seri më të plota statistikore.
Lejet në tremujorin e katërt
Vetëm në tremujorin e katërt 2025 u miratuan 259 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe prej 340.477 m² dhe një vlerë të përafërt investimesh prej 19,4 miliardë lekësh. Edhe në këtë periudhë, ndërtimet për banim zunë pjesën dërrmuese me 200 leje dhe 237.132 m², ndërsa 59 leje i përkisnin ndërtesave jo-rezidente.